Paketa anti-shpifje, reagon Rama
Pak orë pasi opozita organizoi një tryezë për lirinë e mediave, kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me paketën anti-shpifje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se projekt-ligji është konsultuar prej një viti me OSBE.
“ Ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket! Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet. Sa për “ERTV” faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtëpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë po s’u pëlqeu ikin”, shkruan Rama në Twitter.
Pakte anti-shpifje e propozuar nga qeveria kundërshtohet nga përfaqësuesit e shoqatave të medias, opozita, por dhe Komisioni Europian. Këta të fundit këmbëngulin që qeveria mos ta kalojë paketën antishpifje pa u marrë parasysh rekomandimet e tyre, por dhe shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në vend./tvklan.al