Ambasada e SHBA: Mirëpresim nismën “AntiKÇK”


Ambasada e SHBA: Mirëpresim nismën “AntiKÇK”

10:03 02/02/2020

BE: Nisma të kalojë nëpërmjet institucioneve të drejtësisë

Miratimi i aktit normativ të qeverisë për ligjin e posaçëm AntiKÇK është përshëndetur nga partnerët amerikanë dhe ata europianë të Shqipërisë si një mekanizëm i shtuar për të luftuar krimin e organizuar dhe paratë e ardhura prej këtij aktiviteti kriminal. Selia diplomatike e SHBA-së përmes një deklarate u shpreh se e mirëpret këtë përpjekje dhe se do ta ndjekë me interes të madh zbatimin e këtij ligji.

“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor”.

Në të njëjtën frymë ishte dhe deklarata përshëndetëse e zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë.

“Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem”.

Ligji special AntiKÇK u hartua nga qeveria në konsultim me ekspertë europianë dhe amerikanë.

Tv Klan






Të ngjashme