Paketa e ndihmës nga FSHF


Paketa e ndihmës nga FSHF

22:33 10/04/2020

Përjashtohen klubet që varen nga Bashkitë

Pas njoftimit nga presidenti Armand Duka se federata do t’u vinte në ndihmë të gjithë punonjësve të futbollit, ky organizëm zbardh edhe kategoritë që do të përfitojnë nga paga minimale prej 30 mijë lekësh. Për periudhën 15 Mars-15 Prill dhe nëse do të jetë nevoja edhe për një muaj në vazhdim, të gjithë futbollistët e FSHF, stafet teknike dhe mjekët, si dhe të gjithë punonjësit e siguruar në ekipet e Superligës do të marrin këtë pagë.

Jo vetëm këta, por edhe punonjësit që kanë burim financiar vetëm angazhimin e tyre në skuadrat e futbollit. Edhe punonjësit part time të klubeve do të paguhen nga FSHF me gjysmën e pagës minimale. Përfitojnë edhe trajnerët e ekipeve të moshave. FSHF ka përfshirë në skemë edhe të gjithë arbitrat që ushtrojnë vetëm këtë profesion.

Federata ka nuk ka përfshirë në këtë paketë ndihme klubet që varen nga bashkitë e qyteteve duke veçuar këtu vetëm klubin e Vllaznisë, që edhe pse varet nga bashkia e Shkodrës do të ndihmohet nga Federata. Kjo për shkak se në Superligë, ky është i vetmi klub që nuk ka një sponsor dhe FSHF nuk ka dashur ta përjashtojë nga paketa e ndihmës.

Në total Federata parashikon që të shpenzojë deri në 500 mijë euro në muaj, por organizmi i futbollit në Shqipëri do ta ketë të vështirë të përballojë këtë pagesë nëse kjo situatë do të zgjasë edhe për muajin Qershor.

Tv Klan






Të ngjashme