Pakti për rendin, flasin politikanët (27 Janar 1999)
Të djathtët e Parlamentit i janë përgjigjur pozitivisht platformës së Berishës për rivendosjen e rendit. Sipas grupimit e Djathta e Qendrës pakti i propozuar nga demokratët duhet të kthehet në një veprim konkret. Mendimi i këtyre partive është se gjithçka duhet filluar nga krijimi i strukturave të përbashkëta për çarmatimin. Ata i bënë thirrje Qeverisë që të pranojë dorën e shtrirë për bashkëpunim të Opozitës për t’a luftuar krimin bashkarisht. Politikanët të cilët u prononcuan:
Ndre Legisi: Ne jemi për të vendosur një mirëkuptim me të gjitha forcat politike për të respektuar ligjin dhe për të mbështetur forcat e rendit në vendosjen e rendit dhe qetësisë dhe gjithçka që bie ndesh me ligjin dhe me Kushtetutën natyrisht që nuk do të gjejë mbështetjen e socialistëve.
Genc Pollo: Është një marrëveshje e domosdoshme politike, është diçka që është mirëpritur nga gjithë qytetarët, që në radhë të parë dëshirojnë qetësi, dëshirojnë siguri për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për pronën e tyre dhe një marrëveshje e tillë politike, një zbatim i atyre pikave që u parashtruan që kërkojnë dhe reformimin e Ministrisë së Brendshme, krijimin e një grupi të veçantë, rishikimin e disa ligjeve të Kodit Penal sipas paketës antikrim të ’96 dhe disa masa të tjera. Nëse gjendet marrëveshja politike dhe vullneti politik, janë gjëra që mund ta çojnë Shqipërinë përpara dhe mund t’a godasin seriozisht krimin jo siç është bërë deri tani. Unë besoj se nëqoftëse vullneti i partive politike do pasqyrohet në vullnetin e qytetarëve të Shqipërisë atëherë padyshim që do të arrihet një pakt i tillë. Është iniciative e cila shpresoj do ketë përgjigje pozitive nga gjithë partitë politike parlamentare të cilëve iu është drejtuar. Jemi në pritje të përgjigjes së tyre.
Neritan Ceka: Mendoj se me këtë mesazh të zotit Berisha tregon që ka qënë një nga shkaktarët e prishjes së rendit derisa premton tani që do të marri pjesë në rregullimin e rendit, nuk tregon ndonjë gjë të madhe. Se dyti, nuk mund të bëhet pjëstare Opozita në emërimin e shefave të rendit. Ka një Minister Rendi, ka një Kryeministër që vendos për atë, dhe nuk ka kompromise dhe alternativa të tilla që duhet të mblidhen partitë për të caktuar kush do të jetë shefi i Komisariatit./tvklan.al