Palermo, zbulohet laboratori i drogës së dy shqiptarëve


Palermo, zbulohet laboratori i drogës së dy shqiptarëve

15:11 21/06/2016

Karabinierët italianë arrestuan dy shqiptarë në Palermo, të cilët kishin krijuar në periferi të qytetit jugor një laborator për kultivimin e marijuanës.

Në prangat e policisë ranë M.B, 48 – vjeç dhe djali i tij S.B, 26 – vjeç, të dy rezidentë në rrethinat e Palermos dhe pronarë të vendit ku mbillnin drogën.

Agjentët italianë shkatërruan 500 rrënjë kanabis të vendosura në vazo. Sipas mediave të vendit fqinj, sasia totale e drogës së sekuestruar është rreth 50 kilogramë.

Dy shqiptarët kishin ndërtuar një dhomë me ndriçim të posaçëm dhe sistem ajrimi, që mundësonte mbajtjen konstante të temperaturës së nevojshme.

Autoritetet italiane njoftuan se, nëse do të hidhej në treg, sasia e drogës së sekuestruar do t’u sillte shqiptarëve një përfitim prej 250 mijë eurosh.

Babë e bir akuzohen nga prokuroria italiane për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si edhe vjedhje të rëndë të energjisë elektrike. Të dy ndodhen në burgun e Palermos në pritje të dënimit.

Tv Klan






Të ngjashme