Pamje të rënda/ Identifikohen viktimat që humbën jetën nga aksidenti në Fier
Tre persona humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Levan-Tepelenë pranë fshatit Varibop. Viktimat janë dy kushërinj djem xhaxhallarësh dhe e fejuara e njërit prej tyre.
Automjeti i tyre tip Suzuki me targa greke IHZ 1755 humbi kontrollin dhe ra në një kanal në anë të rrugës. Shoferi dhe dy pasagjerët humbën jetën pasi u mbytën në ujë. Drejtuesi i mjetit është identifikuar si Fisnik Murataj 32 vjeç, ndërsa njëri prej pasagjerëve si Agustin Murataj 30 vjeç.
Sa i përket gruas që ndodhej në mjet, ajo është identifikuar si Nazia Aham 34 vjeç, shtetase e huaj. 34-vjeçarja ishte e fejuar me Fisnik Muratajn, drejtues i automjetit. Ata po ktheheshin nga një dasmë dhe po udhëtonin drejt Greqisë, ku dhe jetonin.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se makina doli jashtë rruge gjatë natës, ndërsa rasti u evidentua mëngjesin e sotëm rreth orës 08:10. Në vendngjarje shkuan forcat e ndihmës së shpejtë për të njerrë nga kanali tre viktimat e mbytur brenda makinës. Në pamjet e siguruara nga operatori i ABC News Musa Çela, janë momentet e para kur autoritetet po nxjerrin trupat e pajetë nga kanali me ujë.
/tvklan.al