Pandeli Majko deklaratë për grevën e studentëve (17 Dhjetor 1998)
Kryeministri Pandeli Majko ka bërë sot një deklaratë për ndërhyrjen e policisë ne grevën e studentëve. Kryeministri Majko deklaron se ndërhyrja tek studentët grevistë u bë për të shpëtuar jetën e tyre. Ai gjithashtu ka deklaruar se askush nuk mund të imponohet dhe të detyrojë qeverinë shqiptare të marrë vendime nën presion.
” Këshilli i Ministrave vendosëm që të ndërhyjmë ne ambjentet e grevës së urisë, në radhë të parë për të siguruar jetën e studentëve që ndodheshin të ngujuar. Besoj se është e dukshme se kujt do t’i kërkohej pagesa e faturës nëse cënohej jeta qoftë edhe e një studenti. Ne flasim në alternativën e jetës, ata që duan të flasin në politikë në emër të vdekjes tashmë janë të njohur dhe nuk dua t’i vendos në emra konkret. Ky është një mesazh që në Shqipëri nuk mund të kërkohet respekti i një të drejte kur kapërcehet e drejta e një shumicë. Askush nuk mund të imponojë dhe askush nuk mund të mendojë se do të detyrojë qeverinë shqiptare të marrë vendime nën presion nga cilado anë që të vijë ai. Shpreh brengën time për konstatimin se dialogu i kërkuar midis kryemisnitrit dhe studentëve grevistë shihej si mjet dhe jo si mundësi për zgjidhjen dinjitoze të problemit. Konstatoj gjithashtu se për instalimin e dialogut janë të domosdoshëm dy palë që në këtë rast ka munguar. I vetmi partner në këtë dialog ka qënë qeveria shqiptare dhe masat urgjente që ajo mori për zgjidhjen e problemit.” – tha ai./tvklan.al