Pandemia godet eksportet në të gjithë rajonin
Në Shqipëri bie industria, rritet bujqësia
Pandemia ka goditur eksportet në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Serbia ka patur rënien më të madhe në vlerë, me 807 milionë euro humbje në tregtinë e jashtme krahasuar me një vit më parë. Në vend të dytë renditet Maqedonia e Veriut.
“Shkëmbimet tregtare kanë shënuar rënie edhe në Maqedoninë e Veriut. Eksportet u tkurrën me 750 milionë euro gjatë 7 muajve të këtij viti, duke rezultuar 20% më pak se një vit më parë”, raporton Xhumadije Brahimi.
Në Bosnjë-Hercegovinë, eksportet rezultojnë 306 milionë euro më pak se një vit më parë, ndërsa në Mal të Zi ranë me 12%.
Shqipëria rënien më të madhe e ka në tekstile e minerale.
“Eksportet në Shqipëri u tkurrën 15.4% në 8-mujorin e parë të këtij viti. Shitjet jashtë të sektorit prodhues vendas janë 250 milionë euro më pak se një vit më parë. Ndikimin më të madh në këtë rënien e ka patur grupi i tekstileve, mineralet, lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit”, raporton Ola Xama.
Industria e tekstileve ka shënuar rënie në të gjithë rajonin, për shkak të rënies së kërkesës nga Italia, Spanja dhe Franca. I vetmi vend në rajon që ka zbuluar tregje të reja dhe ka rritur fuqinë eksportuese këtë vit është Kosova.
“Eksportet në Kosovë janë rritur gjatë pandemisë. Rënia e vetme është shënuar në muajin Prill, ndërsa në Gusht eksportet u rritën me një normë 7.6%”, raporton Blerta Dalloshi-Berisha.
Bizneset në Shqipëri insistojnë që të ketë një paketë rimëkëmbje, për të mbijetuar goditjet e krizës, njësoj siç bëri disa ditë më parë edhe qeveria e Kosovës.
Tv Klan