Pandemia ndan vendet e rajonit
Greqia, shteti i fundit që rikthen karantinën
Greqia është shteti i fundit që ka kthyer karantinën për shqiptarët. Duke nisur nga 16 gushti, çdo qytetar që udhëton drejt Greqisë do të jete i detyruar të izolohet për shtatë ditë. Ndërkohë duke nisur nga 5 Gushti do të ndalohet kalimi në pikëkalimin kufitar të Kakavijës nga ora 11 e mbrëmjes deri në orën 7 të mëngjesit.
Shkak i këtij vendimi të ri është bërë një qytetar shqiptar me shtetësi greke i cili dy ditë më parë rezultoi i prekur me Covid-19. Aktualisht ai po trajtohet në spitalin e Janinës.
Gjithashtu në palën greke do të vendosen forca të armatosura dhe një ekip epidemiologjik për kontroll të plotë të udhëtarëve.
Mali i Zi lejon hyrjen vetëm për kategori të caktuara si punonjësit shëndetsorë, staf diplomatik, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare, personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, ose për arsye të tjera humanitare. Për çdo kategori tjetër hyrja është ndaluar prej 21 Qershorit.
Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ndërkohë janë vendet që kanë lënë të lirë lëvizjen për shtetasit shqiptarë.
Por bashkimi Europian mbetet zonë e ndaluar të paktën deri më 14 Gusht sipas vendimit të fundit. Në bazë të rregullave të reja të autoriteteve europiane, mesatarja e të infektuarve me Covid duhet të jetë 16 persona për 100 000 banorë.
Tv Klan