Pandemia rrit me 650 milionë $ depozitat në banka


Pandemia rrit me 650 milionë $ depozitat në banka

15:50 03/11/2020

Ekspertët: Pasiguri për investime dhe kursime për shëndetin

Kursimet në banka të shqiptarëve kanë njohur rritjen më të lartë të dekadës së fundit që prej nisjes së pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, gjendja e depozitave në fund të Shtatorit arriti në 10 miliardë e 780 milionë dollarë, duke pësuar një rritje me 650 milionë dollarë vetëm gjatë vitit të fundit.

Brunilda Isaj, eksperte në fushën financiare thotë se rritja me këto norma e nivelit të kursimeve në banka është jashtë mesatares historike, ndërsa lidhet me direkt me pasiguritë e shkaktuara nga pandemia.

“Si për individët dhe bizneset kemi një rritje shumë të lartë të nivelit të depozitave bankare, dukuri që lidhet me pandeminë pasi nga këndvështrimi i bizneseve edhe ato që kanë likuiditet janë të prirura ta mbajnë dhe jo t’a investojnë.”

Më shumë se gjysmën e rritjes së kursimeve bankare e zënë depozitat e individëve. Në llogaritë e këtij grupi janë shtuar 460 milion dollarë depozita gjatë vitit të fundit, ku kulmi i rritjes është shënuar në muajin mars.

“Tendenca për individët është që të kursejnë për të patur para për trajtim mjekësor. Kjo duket edhe te fakti se më shumë ka rritje të llogarive rrjedhëse se të depozitave me afat, pasi kërkohet një akses i shpejtë i gjendjes në banka.”

Për ekspertët financiarë kjo dukuri nuk lidhet me mundësinë e investimit dhe rritjes së fitimeve të parave në banka, pasi normat e interesit për kursimet në valutë dhe lekë janë në nivelet më të ulëta historike, si pasojë e politikave lehtësuese monetare të bankave qendrore.

Tv Klan






Të ngjashme