Pandemia uli kërkesat për azil në BE
Rriten 7% pranimet në vendet anëtare
Më pak shqiptarë kërkuan azil në Bashkimin Europian gjatë periudhës së pandemisë, por numri i atyre që e përfituan këtë status u rrit me 7%.
Në një raport special nga Zyra Europiane e Mbrojtjes së Azilantëve thuhet se në prill shkalla e pranimit të kërkesave për azil shkoi nga 2 -3% në 10%, duke ulur kështu edhe numrin e dosjeve të mbetura pezull.
Një rritje të ngjashme pati edhe për shtetasit e Kosovës, me 25%, si dhe për moldavët me 18%. Në raport theksohet se zakonisht këtë status e përfitonin vetëm 1 deri 3% e këtyre aplikantëve.
Gjatë muajit prill pati vetëm146 aplikime nga Shqipëria, 112 prej të cilëve për herë të parë. 2230 dosje kanë mbetur ende pezull, ndërsa 481 prej tyre janë refuzuar. Zyra Europiane për Mbrojtjen e Azilantëve njofton se përgjatë periudhës së pandemisë janë regjistruar gjithsej vetëm 8730 aplikime, rekordi më i ulët në 12 vitet e fundit.
Megjithatë gjatë muajit prill u regjistrua një rritje masive e aplikimeve të përsëritura nga 9 deri 14% e totalit.
Tv Klan