Panik në qendër të Athinës, policia greke qëllon me armë shqiptarin


Panik në qendër të Athinës, policia greke qëllon me armë shqiptarin

08:32 08/10/2021

Panik në Athinë. Një shqiptar ka mbetur i plagosur pas ndjekjes nga policia greke. Ngjarja ka ndodhur në qendër të kryeqytetit grek rreth orës 09:00 sipas orës lokale.

E përditshmja greke “Kathimerini” raporton se një patrullë e policisë konstatoi një automjet tip Peugeot që dyshohej i vjedhur dhe i bëri shenjë që të ndalonte. Në drejtimin e makinës ishte një 35-vjeçar shqiptar, i cili refuzoi që të ndalonte dhe përplasi automjetin e policisë.

Ndërkohë, efektivi i patrullës qëlloi dy herë me armë në drejtim të shqiptarit. Njëri nga plumbat e preku në këmbë, duke e lënë të plagosur.

Shtetasi shqiptar është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik nga mediat. Ndërsa në vendngjarje shkuan forca të shumta policore dhe bënë rrethimin e zonës. I lënduar ka mbetur edhe një punonjës policie nga përplasja e mjeteve.

Mediat greke raportojnë se pas verifikimeve automjeti që drejtohej nga shqiptari ishte i vjedhur.

Shqiptari që u plagos nga policia në Athinë, person me precedent të mëparshëm penal

35-vjeçari shqiptar që u përfshi në një incident mëngjesin e sotëm në Athinë, është emër i njohur për policinë greke.

Identiteti i tij nuk është bërë publik, por CNN-i grek duke iu referuar burimeve policore, shkruan se 35-vjeçari ka precedent të mëparshëm penal dhe është i skeduar.

Ai ka qenë i hetuar më parë për trafik droge dhe vjedhje.

Mëngjesin e sotëm, shqiptari po udhëtonte me një makinë Peugeot të vjedhur. Patrulla e policisë, që kishte marrë njoftimin për një makinë të vjedhur, alarm i dhënë nga një grua, i bëri shenjë automjetit për të ndaluar.

Por drejtuesi, 35-vjeçari shqiptar, nuk iu bind urdhrit dhe përplasi me makinë motorin e policisë duke i shkaktuar lëndime njërit prej efektivëve.

Në këtë moment, një polic tjetër i patrullës qëlloi me armë në drejtim të shqiptarit duke e lënë të plagosur në këmbë.

Ai është dërguar në spital për të marrë mjekim, si dhe është arrestuar. /tvklan.al 






Të ngjashme