Panik në stacionin e trenit, 22 të vdekur e shumë të plagosur
Të paktën 22 persona vdiqën dhe rreth 30 persona të tjerë u plagosën mëngjesin e sotëm, gjatë një situate paniku mes njerëzve, në një stacion treni në Mumbai.
Incidenti në stacionin Elphistone mësohet të jetë shkaktuar për shkak të mbipopullimit dhe shiut të rëndë. Rrëmuja ndodhi në një urë këmbësorësh që të çonte drejt stacionit.
Sipas disa zyrtarëve indianë, incidenti ndodhi sepse pasagjerët kishin qëndruar në një urë me strehë gjatë kohës që binte shi dhe filluan të largoheshin nga stacioni në të njëjtën kohë me pasagjerët e tjerë që erdhën.
“Trenat po vinin për në stacion dhe disa nga njerëzit donin të largoheshin, por një pjesë tjetër nuk po lironin rrugën. Kur disa prej udhëtarëve u munduan të largoheshin, kjo shkaktoi panik”,
u shpreh një nga personat e plagosur.
Të dëmtuarit janë dërguar në një spital afër zonës ku ndodhi ngjarja ndërsa nga autoritetet pritet të niset një hetim./tvklan.al