Panucci: Do të përpiqemi të fitojmë
Christian Panucci paralajmëroi ndryshime në formacionin për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Skocisë mbrëmjen e së hënës në Gllazgou. Trajneri i Kombëtares nuk dha detaje për 11-shin titullar në konferencën para takimit, por tha se do të hyjnë në fushë për fitore.
“Diçka do të ndryshoj, por shpresoj që të bëj lëvizjet e duhura që të bëjmë një paraqitje serioze. Do ta provojmë dhe e dimë që do të luajmë ndaj një kundërshtari të plagosur, pasi ka humbur me Belgjikën në miqësore, por ambienti është i vështirë. Sigurisht që nuk hyjmë në fushë për 1 pikë, por për të fituar.”
Suksesi me Izraelin të premten në Elbasan i ka motivuar më shumë Kuqezinjtë. Në grup është afruar edhe Ergys Kaçe. Mesfushori nuk ishte i grumbulluar për sfidën me izraelitët dhe rikthehet pas gati 1 viti mungesë. Kaçe zëvendëson Andi Lilën e dëmtuar. Në kërkim të fitores është Skocia. Trajneri Alex McLeish kërkon që të mos përsëriten gabimet e miqësores me Belgjikën e humbur me rezultatin 4 – 0.
“Shqipëria arriti një fitore në shtëpi dhe kaluan një provë, kështu që do të vijnë me vetëbesim. Ata kanë lojtarë të mirë në ekip si Taulant Xhaka dhe shumë të tjerë, të cilët luajnë në kampionate të rëndësishëm. Futbollistët e ekipit tim janë të motivuar dhe kjo do të jetë kur të nisë loja. Ne duhet të bëjmë një paraqitje të mirë.”
Përballja Skoci – Shqipëri do të luhet të hënën në orën 20:45 në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout.
Tv Klan