Panucci shmang përballjen me gazetarët pas humbjes
Në fakt përgjigjet e Panuccit erdhën pas pyetjeve që gazetarët i dërguan zyrës së shtypit të FSHF në mungesë të konferencës së shtypit pas ndeshjeve, një standard i vendosur nga vetë trajneri që pas humbjes së radhës, ishte po ai vetë që e shkeli. Dhe në shpjegimet që dha për disfaten 4 – 1 me Ukrainën, gishtin e drejtoi nga skuadra.
“Dy ndeshje shumë negative sepse skuadra kishte mbaruar benzinën. Kishim shumë vështirësi. Na mungonin shumë lojtarë dhe shumë të tjerë nuk luajnë prej muajsh. Por jam i bindur që kur të kemi në dispozicion lojtarët e rëndësishëm, ata që fituan me Turqinë, do të jemi konkurrues”.
I gjendur në qendër të kritikave, përpiqet t’i japë kohë vetes. Italiani ka bindjen se në Shtator skuadra do të jetë në formën më të mirë të saj.
“Kjo skuadër ishte krejt ndryshyshe nga ajo që fitoi në Turqi. Duhej të provoja shumë të rinj, të rrezikoja, që të shihja nëse dikush ishte gati për Kombëtaren. Në Shtator, kur të kthehen të gjithë lojtarët, skuadra do të jetë kompetitive”.
Janë disa faktorët që ndikuan në këto humbje, thotë Panucci.
“Nuk kishim forcë, nuk kishim këmbë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Edhe ndaj Ukrainës luajtëm vetëm 20-25 minuta, më pas “black out” total pas golit të parë”.
Me gjithë humbjet me lojë të shëmtuar dhe kontestimet e kritikat jo vetëm të tifozëve, Panucci nuk ndjehet i rrezikuar dhe ka besim se puna e tij do të ketë frytet me rifillimin e sezonit.
“Për momentin, absolutisht jo. Nëse mendojmë që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë gabojmë gjithçka. Nëse jemi të gjithë të bashkuar, atëherë mund t’ia dalim. Nuk e mendoj aspak këtë rrezik, jam shumë i bindur në punën time.
Përpiqem të kuptoj pse kanë ardhur këto humbje, duke e ditur që kjo nuk është Shqipëria ime. Mund të humbasësh, por jo pa luftuar. Jam i bindur se në të ardhmen do të rigjej Shqipërinë time. S’më mbetet gjë tjetër veç të qëndroj në qetësi, të punoj dhe të shpresoj që të rikuperoj futbollistët e mi”.
Edhe Presidenti i Federatës, Armand Duka, ka vendosur t’i japë kohë. Por e ka paralajmëruar: Në vjeshtë duhen rezultate.
Tv Klan