Papa Françesku, audiencë për vitin e Skënderbeut
Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi shqiptarët në Vatikan, ku një delegacion prej rreth 200 vetësh, shoqëruar nga kardinali Ernest Simoni, u pritën në një dëgjesë nga Papa Françesku.
Gjatë takimit me rastin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, Papa Françesku e cilësoi Shqipërinë tokë antike dhe me histori të lavdishme, që është pjesë integrale e Europës.
Ati i Shenjtë u kujdes të nderonte fjalën e të ngarkuarës me punë në ambasadën e Shqipërisë në Vatikan, zonjës Majlinda Dodaj, në Sallën Klementinë.
Papa nënvizoi se Gjergj Kastrioti Skënderbeu “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishter, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’, “Atleti i Krishtërimit”.
“Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”.
Duke kujtuar të shkuarën, Papa Françesku u ndal edhe te e ardhmja. Ati i Shenjtë nxiti shqiptarët për më shumë impenjim për zhvillimin e vendit, si një detyrim për brezat e rinj. Papa nënvizoi “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve fetare.
“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë”.
Krahas delegacionit të ardhur nga Tirana, i drejtuar nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, morën pjesë krerë të komuniteteve fetare, përfaqësues të trevave shqiptare, si edhe komuniteti arbëresh në Itali. Në mbrëmje në qendër të Romës u mbajt një koncert me emrat më të njohur të artistëve shqiptarë në botë.
Tv Klan