Papa jep mesazhin: Toka po “rënkon”, rimëkëmbet nëse ne…
“Pandemia e Covid-19 ka treguar se si Toka mund të rimëkëmbet nëse ne e lejojmë të pushojë”, është shprehur Papa Françesku.
Në një deklaratë të fundit për mjedisin, Papa Françesku u bëri thirrje njerëzve të zgjedhin mënyra më të thjeshta jetese për të ndihmuar një planet i cili tashmë po “rënkon”, për një rritje ekonomike.
Papa gjithashtu bëri thirrjen e tij për anulimin e borxheve të vendeve më të rrezikuara.
“Ky veprim do të ishte i drejtë, pasi vendet e pasura kanë shfrytëzuar burimet natyrore të vendeve më të varfra. Në disa mënyra, pandemia aktuale na ka çuar në rizbulimin e mënyrave të jetesës më të thjeshta dhe të qëndrueshme,” tha Papa në një mesazh të shkruar.
“Tashmë ne mund të shohim se si Toka mund të rimëkëmbet nëse e lejojmë atë të pushojë: Ajri bëhet më i pastër, ujërat më të pastra dhe kafshët janë kthyer në vendet nga ku ishin zhdukur më parë. Pandemia na ka sjellë në një udhëkryq”, shkroi ai.
Papa i kërkoi njerëzve që të shfrytëzojnë rastin për të rishikuar zakonet e përdorimit të energjisë, konsumit, transportit dhe dietës.
“Deri tani, kërkesa e vazhdueshme për rritje dhe një cikël i pafund prodhimi e konsumimi po e lodhin botën natyrore, ajo po “rënkon””, u shpreh Papa.
Duke përmendur krizat mjekësore, sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia, Papa tha se ishte koha për drejtësi rikuperuese.
“Ne gjithashtu duhet të sigurojmë që paketat e rimëkëmbjes që po zhvillohen dhe vendosen në nivele globale, rajonale dhe kombëtare duhet të jenë paketa rigjenerimi”, u shpreh ai, pa përmendur ndonjë komb apo rajon të veçantë./tvklan.al