Papa për Kore-SHBA: Nëse ka luftë, njerëzimi do të shkatërrohet
Papa Françesku ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndërmjetësojë një zgjidhje diplomatike të tensionit në rritje mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së.
Papa paralajmëroi se kriza mund të çojë në nisjen e një lufte katastrofike ku një pjesë e mirë e njerëzimit do të shkatërrohet.
Duke folur me gazetarët në avionin e tij, teksa la Egjiptin ku ndodhej për vizite, Papa tha se në botë ka shumë negociatorë.
“Ka ndërmjetës që kanë treguar gatishmërinë, si Norvegjia për shembull. Situata është bërë shumë e nxehtë. Rruga e negociatave dhe e zgjidhjes diplomatike është rruga e duhur.”
Komentet e Papës erdhën disa orë pasi Koreja e Veriut testoi një tjetër raketë balistike. Megjithëse prova dështoi dhe raketa u shkatërrua pak pasi u lëshua. Ekspertët vlerësojnë se dështime të tilla janë normale kur testohen raketa të reja.
Situata mbetet mjaft e tensionuar pranë gadishullit korean ku ka manovra ushtarake si në veri edhe në jug./ TV KLAN