Papa viziton Irlandën në mes të debatit për pedofilinë
Në kulmin e debatit për abuzimet seksuale të priftërinjve ndaj të miturve, Papa Françesku nisi vizitën e tij 2-ditore në Irlandë, vend ku janë denoncuar disa raste të tilla.
Në fjalimin përkrah Kryeministrit irlandez, Ati i Shenjtë u tregua i drejtëpërdrejtë duke ngritur shqetësim për temën delikate të pedofilisë brenda Kishës.
“Nuk mund të mos njoh skandalin e rëndë të shkaktuar në Irlandë, me abuzimet ndaj minorenëve nga njerëzit e Kishës, të cilët kanë si detyrë t’i mbrojnë e t’i edukojnë këta fëmijë. Dështimi i autoriteteve kishtare në përballjen me këto krime të neveritshme, ka ngjallur indinjatë dhe mbetet burim për dhimbjen dhe turpin e komunitetit katolik. Unë vetë i ndaj këto ndjenja”.
Vatikani njoftoi se Ati i Shenjtë do të takohet me viktimat e abuzimeve seksuale, por detajet për këto takime do të jepen pas mbylljes së tyre.
Vizita e Papa Françeskut në Dublin është e para e një pape pas 40 vjetësh. Shoqëria irlandeze është tradicionalisht katolike, por në dekadat e fundit është afruar më shumë me liberalizmin. Çka e tregon edhe njohja e martesave gay apo e drejta e abortit.
Tv Klan