Papa zgjedh heshtjen përballë akuzave të kryepeshkopit
Akuzave të rënda të kryepeshkopit Carlo Maria Viganò, se Papa Françesku ishte në dijeni për abuzimet seksuale të ish-peshkopit të Uashingtonit, Theodore McCarrik, Ati i Shenjtë iu përgjigj me heshtje. Në intervistën e zakonshme në avion, Papa ua la në dorë gazetarëve të gjykojnë rreth letrës akuzuese.
“Besoj se komunikata flet vetë. Unë nuk do të them asnjë fjalë për të. Ju keni aftësinë gazetareske për të nxjerrë përfundimet. Lexojeni me kujdes dhe gjykoni vetë. Kur te ketë kaluar pak kohë dhe ju keni dalë në një përfundim, ndoshta do të flas”.
Në letrën 11 faqeshe, Carlo Maria Viganò kërkoi dorëheqjen e Papa Françeskut, të cilin e akuzon se jo vetëm ishte në dijeni të akteve mizore ndaj të miturve, por edhe e ka promovuar kardinalin Theodore MCCarrik.
Viganò shkruan në letër se e kishte informuar Atin e Shenjtë në vitin 2013, se peshkopi McCarrik ishte një grabitqar serial dhe një njeri i korruptuar, megjithatë ai nuk mundi ta provojë me fakte denoncimin.
Vala e akuzave ndaj Papa Françeskut ngre dyshime se Ati i Shenjtë po përballet me një sulm të mirëmenduar nga tradicionalistët brenda Kishës katolike.
Gjatë vizitës në Irlandë, Papa kërkoi falje dhe tha se ndjehet i turpëruar për veprat e priftërinjve katolikë.
Tv Klan