“Paradise Papers” trondit politikën dhe artin
Mbi 13 milionë dokumente sekretë kanë nxjerrë në dritë llogaritë e fshehta të njerëzve të rëndësishëm ne skandalin e quajtur “Paradise Papers”. Mbretëresha Elizabeta II është figura më e njohur në këto dokumente. 10 milionë Stërlina nga pasuria personale e Monarkes britanike janë investuar në një fond në ishujt Kaiman.
Zyrtarët e oborrit mbretëror deklaruan se Madhëria e saj nuk është në dijeni të këtyre investimeve dhe lajmi për përdorimin e fondeve të saj e ka shokuar.
Edhe Lordi Michael Ashcroft, ish-kryetar i Partisë Konservatore është i përfshirë në këtë skandal. Ai dyshohet se ka fshehur rreth 450 milionë dollarë në pasuri të patundshme. Gazetarët britanike e ndjekin pas Lordin për të marrë një reagim të tij, por ai refuzon dhe fshihet në tualet.
Në listën VIP të “Paradise Papers” nuk mungon as Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, i cili mësohet se zotëronte disa aksione të Sibur Holdingm, një kompani ruse e transportit të naftës dhe gazit.
2 prej aksionarëve të rëndësishëm të Sibur, janë ne listën e sanksioneve të SHBA-ve, ndërsa i treti është dhëndri i presidentit rus Vladimir Putin.
Krahu i djathtë dhe regjisori i ngritjes politike të kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, Stephen Bronfman, ka fshehur fondet përmes tre komplekseve financiare, në SHBA, Izrael dhe Ishujt Kaiman. Lideri i U2 Bono Vox, Madonna, multimiliarderi amerikan Geroge Soros, apo gjigantët industrialë “Apple” e “Nike” gjenden gjithashtu mes emrave më të njohur.
Rreth 1 vit investigime nga 96 media prestigjioze në mbarë botën, mes të cilave francezja “Le Monde”, “BBC” e “The Guardian” në Britanine e Madhe apo “New York Times” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prodhuan “Paradise Papers”.
Dokumentet e bëra publike janë marrë nga disa prej zyrave ligjore më të njohura si Appleby me seli në ishujt Bermuda, Asiatici Trust me qendër në Singapor dhe 19 shoqërie të tjera ligjore të vendosura në ishujt Kaiman, Bahamas e në vende të tjera të njohura ndryshe si parajsa fiskale.
Ashtu si me “Panama Papers”, edhe në këtë rast, është gjermania “Zudeuttche Zeitung” shpërndarësja e dokumenteve, duke bashkëpunuar me partnerët e saj përmes Consorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë./Tv Klan