Paraeliminatoret e botërorit të basketbollit
Kombëtarja e basketbollit të meshkujve nisi përgatitjet për paraeliminatoret e Botërorit 2019. Kuqezinjtë janë pjesë e Grupit B, ku janë Austria dhe Holanda, që cilësohen rivalë më të dobët në krahasim me sezonin e kaluar.
Trajner i Kombëtares, Antonis Constantinides thotë se “nuk është i njëjti grup me vitin e kaluar, pasi luanim me Malin e Zi e Gjeorgjinë, tani kemi përballë me Austrinë e Holandën, por gjithsesi duhet të luftojmë për kualifikimin. Nëse do të do të bëjmë gjërat e duhura në këtu në Tiranë mund t’ia arrijmë.”
Objektivi minimal është që të fitohen ndeshjet në shtëpi dhe të shmanget vendi i fundit që do t’i zbriste në Divizionin B. Në skuadër janë afruar edhe shumë të rinj, por ka edhe të tillë me përvojë si Franko Bushati, basketbollist i Brescias në Serie A, në Itali. Ai shpreson në një nisje me fitore të paraeliminatoreve.
“Ndeshja e parë me Austrinë në Tiranë do të jetë si një finale, nëse do të fitojmë do të kemi shpresa”, tha Bushati.
Kombëtarja do të përgatitet gjatë të gjithë muajit korrik ku do të zhvillojë edhe një turne miqësor në Armeni. Ndeshjet zyrtare do të nisin më 2 gusht.
/Tv Klan