Paraja apo pasioni, çfarë na motivon më shumë? (Video)


Paraja apo pasioni, çfarë na motivon më shumë? (Video)

19:00 01/03/2019

Motivimi i punonjësve për të bërë punën e tyre më mirë ka qenë një sfidë e përhershme për drejtuesit dhe menaxherët në të gjitha kohërat.

Shumë prej studiuesve kanë arritur në konkluzione se paraja është një ndër motivuesit kryesor në performacën e punonjësve, ndërkohë disa studime të tjera tregojnë se ajo çfarë i motivon punonjësit është nevoja për të ecur përpara, për të arritur suksese.

Pagesa, është një prej arsyeve kryesore që shtyn një numër të madh njerëzish drejt zgjedhjes së karrierës së tyre. Ajo është një mjet shumë i rëndësishëm, që na mundëson që të bëjmë stilin e jetës që dëshirojmë.  E për të folur pikërisht për këtë temë ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan moderatorët Flavio Qarri, Dajana Shabani, gazetari Bledian Koka dhe sipërmarrësja Teuta Doçi.

“Sigurisht që paraja i motivon njerëzit, por nuk mendoj se është gjëja kryesore. Në momentin që paraja vendoset si paradigmë e angazhimit tënd në punë atëherë humbet thelbi i punës. Në vlerësimin tim nuk ka njeri më fatkeq se sa ai që bën punën që nuk e dëshiron. Sfida ose kryefjala e punës që bëjmë duhet të jetë kënaqësia që marrim duke e bërë atë punë. Unë e vë theksin tek marrja e kënaqësisë në punë, kjo gjithmonë më ka shtyrë përpara dhe më ka bërë të fitoj më shumë. Por nëse pagesa nuk i përgjigjet angazhimit tënd në punë, kjo automatikisht e dëmton cilësinë e punës. Pra pasioni në një moment të caktuar nëse nuk shkon paralelisht me pagesën priret të shuhet”,

tha gazetari Bledian Koka.

“Një punë e bërë pa pasion është një punë e bërë jo mirë. Por kriteri i parë që kërkoj në punë është paraja. Ndoshta mund të jem shumë egoiste, por nuk do t’i kuptoj dot njerëzit të cilët punojnë vetëm për pasion dhe nuk kanë feedback”,

tha Shabani.

“Nuk është temë e thjeshtë. Ndryshe flitet për dikë që kërkon të punësohet dhe ndryshe kur t’i punëson të tjerë. Thuhet që kur shkon për të bërë një intervistë pune, paga duhet të jetë e fundit për të cilën interesohesh, në mënyrë që të fitosh kredite tek punëdhënësi jot. Nga eksperienca që unë kam nuk është e thënë që të gjithë njerëzit të bëjnë atë punë që kanë pasion. Është e pamundur. Paraja është qendra e kësaj bote sepse me të do jetosh. Bonusi financiar ka limitet e veta, nuk mund të kërkosh pafundësisht. Në Shqipëri ku pagat vazhdojnë të jenë të ulëta, motivimi financiar vazhdon të jetë numri 1”

, tha Doçi.

“Unë punoj për bukën e gojës. Unë kam punuar në shumë kompani të cilat kanë qenë shumë të njohura dhe ende sot e kësaj dite nuk jam në gjendje të përballoj një intervistë pune apo një negociatë page. Në kompanitë ku kam punuar nuk kam bërë kurrë diskutimin për pagesën. Kur ke fatin të bësh punën që ti do, pagesa është dytësore”,

tha Qarri.

/tvklan.al






Të ngjashme