Paralajmërimi i Erdogan


Paralajmërimi i Erdogan

15:58 16/12/2019

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëron mbylljen e disa bazave të mëdha ajrore në Turqi, që shfrytëzohen nga amerikanët si partnerë të NATO-s.

Paralajmërimin e bëri në një intervistë televizive, ku sqaroi se këto do të jenë masa reciprociteti pas miratimit javën e kaluar në Kongresin amerikan të sanksioneve ekonomike ndaj Turqisë, për blerjen e sistemit raketor rus S-400 dhe të rezolutës që njeh genocidin turk ndaj armenëve.

“Ne do ta mbyllim Inxhirlikun, nëse do të jetë e nevojshme. Po ashtu do të mbyllim edhe bazën e radarëve të Kyreçikut. Nëse vihen në zbatim sanksionet, do t’u japim përgjigjen e merituar sipas parimit të reciprocitetit”. 

Baza ajrore e Inxhirlikut ka qenë tepër e rëndësishme në operacionet amerikane në Lindjen e Mesme, veçanërisht në luftën kundër Shtetit Islamik. Në këtë bazë amerikanët mbajnë edhe armë bërthamore, të vendosura atje që prej luftës së ftohtë.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë janë tensionuar së tepërmi veçanërisht pas blerjes nga aleatët turq, të sistemit raketor rus S-400, që sipas amerikanëve përbën kërcënim për forcat e NATO-s. Megjithatë Turqia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga përmbushja e kontratës së blerjes së këtij sistemi.

Tv Klan






Të ngjashme