Parashikime të zymta për fasoneritë
Punën nuk e kanë ndaluar, por nuk kanë ku t’i shesin prodhimet!
Megjithëse me staf të reduktuar, fasoneritë kanë vijuar aktivitetin e tyre, përgjatë gjithë periudhës së shtetrrethimit total.
Për të parandaluar përhapjen e Covid-19, institucionet nxorrën disa rregullore që duhet të ndiqnin këto të fundit.
Kjo është një fabrike prodhim këpucësh Fital Sh.p.k e cila ndodhet në zonën e Kombinatit.
Në ditë normale, për prodhimin e tyre aktivizohen mbi 300 njerëz, ndërsa sot, në të punojnë vetëm 200.
Për 60 prej tyre është dhënë leje e zakonshme, por që vazhdojnë të paguhen normalisht, ndërsa për pjesën tjetër, janë gjetur punë alternative, siç është ajo e seleksionimit të kartonave etj.
Fasoneria në fjalë operon vetëm me tregun europian, por mbyllja e kufijve ka bërë që porositë të mbeten stok. Administratori i kompanisë, Plarent Jakupi, tregon për Klan Plus vështirësitë me të cilat po përballet biznesi i tyre në këtë periudhë pandemie.
Por sa mund të rezistojë një biznes i këtij lloji, nëse zgjat më shumë kjo situatë?
Nga ana tjetër, duke qenë një biznes i madh dhe me numër të lartë punëtorësh, masat duhet të jenë shumë serioze. Punëtorët tregojnë hapat që ndiqen para se ato të fillojnë punën çdo ditë.
Madje edhe gjatë orarit të punës, është vendosur një person që dezinfekton të gjithë punonjësit me radhë, të paktën dy herë në ditë.
Kujtojmë se pak ditë më parë, një biznes fason në zonën e Krujës u shndërrua në vatër përhapjeje të koronavirusit.
Përballë një situate të tillë, Task Forca e Ministrisë së Shëndetësisë kontrolloi të gjitha fasoneritë në vend nëse operojnë në kushtet e duhura. Ndër to ishte edhe kjo fasoneri.
Ndërkohë, për punëtorët e shkurtuar nga puna, kryeministri Rama tha se do të shpërblehen me një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra.
Klan Plus