Parisi pushtohet sërish nga “jelekët e verdhë”
Policia përdor gaz lotsjellës, disa të arrestuar
Parisi është trazuar sërish këtë të shtunë nga të ashtuquajturit “jelekët e verdhë”. Qindra persona kanë dalë në rrugët kryesore të kryeqytetit francez me rastin e 1-vjetorit të protestave të dhunshme anti-qeveritare.
Përleshja e parë mes protestuesve dhe forcave policore shpërtheu pranë Porte de Champerret, teksa “jelekët e verdhë” po përgatiteshin të marshonin në rrugët kryesore të Parisit.
Forcat policore përdorën gaz lotsjellës për të qetësuar situatën por edhe për të ndaluar bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit. Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve franceze, janë arrestuar 24 persona.
Protesta e “jelekëve të verdhë” shpërtheu në mesin e Nëntorit të 2018, si pasojë e pakënaqësisë për rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së lartë të jetesës, por më pas u zgjerua në një lëvizje kundër Presidentit Emmanuel Macron dhe përpjekjes së tij për reforma ekonomike.
Tv Klan