Parlament prezantohet projektbuxheti 2000 – (9 Dhjetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Projektbuxheti qeveritar për vitin 2000 ka zbritur sot në Parlament për të marrë votën e deputetëve. Kryefinancieri Anastas Angjeli tha se në krahasim me vitin 1998 në vitin 1999 janë përfituar 9 miliard lekë më shumë nga doganat e tatimet. Për vitin 2000 parashikohet të përfitohen nga doganat e tatimet rreth 83 miliard lekë.
Në dogana janë arkëtuar 3 miliard lekë nga akcizat, ndërkohë që në krahasim me vitin e kaluar, janë zhdoganuar gjatë ’99, 10 herë më shumë kafe, 5 herë më shumë cigare e 2 herë më shumë karburante. Për vitin 2000 synohet të ulet deficiti buxhetor me 49.2 miliard lekë ndërkohë që sipas Kryeministrit Meta në vitin 2000, shtetit shqiptar do t’i duhet të paguajë rreth 130 milion dollarë detyrime që kanë lindur nga borxhi i jashtëm i trasheguar në vite.
Për vitin e ardhshëm parashikohet rritje ekonomike 8 përqind dhe ulje inflacionit deri në 3 përqind. Tarifat doganore do të ulen në fazën e parë nga 20 në 18%, ndërsa të ardhurat nga doganat e tatimet parashikohet të mblidhen 47.6 miliard lekë. Me 1 Korrik pagat do rriten 8 perqind dhe pensionet me 10 perqind, ndërsa pensionet me 10%.
Për të realizuar këto objektiva ministri i Financave Anastas Angjeli parashtroi si masa të qeverisë përshpejtimin e privatizimit të sektorit bankar, luftën ndaj evazionit fiskal dhe reformën administrative.
Kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Malaj kërkoi rritjen e shpenzimeve për vitin 2000 me 1 miliard lekë. Grupi parlamentar demokrat kërkoi të shtyhet votimi i projektbuxhetit për ditën e nesërme, kërkesë e cila u pranua nga Nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame