Parlamenti Europian: “OK” daljes së Britanisë


Parlamenti Europian: “OK” daljes së Britanisë

14:35 28/06/2016

Me një shumicë të thellë prej 395 votash pro, 200 kundër dhe 71 abstenim, Parlamenti Europian miratoi rezolutën përmes së cilës i kërkon Britanisë së Madhe të nisë procedurat për t’u larguar nga Bashkimi Europian, siç e parashikon neni 50 i Traktatit të Lisbonës. Seanca e jashtëzakonshme, ku ishte i pranishëm edhe euroskeptiku Nigel Farage, u shoqërua me debate të nxehta. Deputeti britanik u fishkëllye, u quajt gënjeshtar dhe u akuzua për “propagandë naziste” .

Farage, një nga figurat kyçe që udhëhoqi fushatën pro daljes në Britani, u kujtoi të pranishmëve se në fillim nuk e kishin marrë seriozisht.

Nigel Farage – Lider i UKIP: 

“Kur erdha këtu para 17 vitesh dhe thashë se dua të udhëheq fushatën për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni, ju të gjithë qeshët me mua. E pra, nuk po qeshni më tani”.

Në nisje të seancës, Presidenti i Komisionit Europian, Jean – Claude Juncker, deklaroi se Britania e Madhe duhet të qartësojë sa më shpejt pozicionin e saj pas Brexit, për të shmangur paqartësitë ndërsa nuk i la thumbimet edhe për Farage.

Jean – Claude Juncker – President i Komisioni Europian: 

“Jam vërtet i habituar që jeni këtu. Ju luftuat për largimin nga BE, populli britanik votoi në favor të largimit. Atëherë pse jeni këtu”.

Presidenti e Komisionit Europian sqaroi se nuk do të ketë takime informale apo negociata sekrete me Britaninë. Kryeministri britanik, David Cameron, nuk pranon të paraqesë kërkesën zyrtare për largim, sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, pasi gjykon se ky është një vendim që duhet ta marrë pasardhësi i tij.

Tv Klan






Të ngjashme