Partia Demokratike, Ferdinand Xhaferri – (22 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Grupi i të moderuarve të PD ashtu si dhe liderët aktualë të saj kanë deklaruar sot mbështetjen pro Majkos. Kështu është zbardhur edhe e vërteta rreth takimit Meta-Xhaferri-Rama. Duket se dje Zëvendës Kryeministri Meta ka kërkuar mbështetjen e grupit të deputetëve të zemëruar të PD në rast votbesimi të Qeverisë Majko në Parlament. Ferdinand Xhaferri nuk ka mohuar sot se një nga çështjet e takimit të djeshëm ka qenë dhe përkrahja për Qeverinë.
Ferdinand Xhaferri, deputet i PD:- “Idetë ishin shumë të përgjithshme nuk kishin të bënin vetëm me Qeverinë që është një çështje që i takon ta zgjidhin socialistët me të gjithë katrahuren dhe zallamahinë që janë përfshirë brenda tyre. Ajo ishte thjesht një kafe për të biseduar, për të shkëmbyer për disa ide dhe asgjë më shumë”.
Rezultatet e takimit të djeshëm nuk kanë vonuar të duken sot. Grupi i deputetëve demokrat që njohin ende Pollon kryetar të grupit parlamentar, kanë diskutuar sot rreth moduleve të qëndrimit të ri politik.
Me sa duket të zemëruarit e dy partive të mëdha po shohin mundësinë e krijimit të një lëvizje të re politike pse jo dhe të një Qeverie të përbashkët./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego