Partia Republikane feston 10 vjetorin e krijimit të saj – (10 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Partia Republikane ka festuar sot në ambientet e hollit të Pallatit të Kongreseve, 10 vjetorin e formimit të saj. Kanë qenë të pranishëm të ftuar nga trupi diplomatik të akredituar në vendin tonë, ambasadorë të përfaqësive diplomatike në Tiranë. Në 10 vjet të krijimit të Partisë Republikane, nuk kanë munguar me prezencën e tyre as përfaqësues të spektrit të djathtë politik në Shqipëri.
Kryetari i kësaj partie Fatmir Mediu, në një rezyme të shkurtër të 10 vjetëve të krijimit të saj, ka kujtuar rëndësinë e kësaj force politike të spektrit të djathtë, përkrah të gjitha zhvillimeve politike në vendin tonë. Ndërsa vetë lideri i krijimit të PR Sabri Godo u shpreh:
Sabri Godo:- “10 vjet janë shumë për jetën e një njeriu, por janë pak në ekzistencën e një partie. PR ka kaluar nëpërmjet labirinteve politike, që ka jetuar ky vend gjatë dhjetë vjetëve, duke ruajtur të qartë fizionominë e saj. Unë mendojë se PR ka disa detyrime të veçanta ndaj shtetasve dhe përpiqemi t’i përmbushim këto”.
Në 10 vjet Partia Republikane ka qenë pjesëmarrëse në parlament, ndërsa vetë lideri Godo është bashkëkryetar i komisionit për hartimin e Kushtetutës./tvklan.al