Partia Republikane konferencë – (7 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Krijimi i një qeverie tjetër duhet të jetë kushti i opozitës shqiptare për pjesmarrjet në zgjedhjet e ardhshme. Ka qenë ky propozimi i republikanëve, të cilët në konferencën e sotme për shtyp kanë denoncuar mungesën e rendit në Shqipëri. Sipas republikanëve Shqipëria është kthyer në një fushë beteje ku bandat dhe banditët janë më të nderuarit dhe bëjnë ligjin dhe lajnë hesapet me njëri-tjetrin, duke masakruar dhe qytetarë të pafajshëm.
Lideri republikan Fatmir Mediu, i pyetur rreth të dhënave të publikuara nga Ministria e Rendit për organizimin e një 14 Shtatori të dytë u shpreh:
Fatmir Mediu, kryetari i PR:- “Pra mendoj që të gjitha këto janë trillime të pushtetit socialist në fund të fundit për të mbajtur pushtetin dhe për tu fshehur pas një një realiteti i cili është tepër i dhimshëm. 14 Shtator dhe anarki si 14 Shtatori mund të përgatisë qeverisja e pa aftë socialiste. 14 Shtator mund të paraqesin banda që zotërojnë qytete të tëra. Përpara se të presin se ç’do të ndodh me një 14 Shtator tjetër është mirë që të japim përgjigje për përgjegjësitë që pati shteti në 14 Shtatorin e kaluar”.
Ndërkohë për republikanët Shqipëria ndodhet përballë kushteve tashmë të qarta të Komunitetit Ndërkombëtar i cili është i interesuar të ti ofroj Ballkanit dhe vendit tonë, shance për zhvillim. Shance të cilat nuk janë as të socialistëve, as të Majkos por të shqiptarëve./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego