Partizani dhe Kukësi ndahen pa gola
Nuk ka fitues në ndeshjen më të rëndësishme të javës së dytë të Superligës.
Partizani dhe Kukësi u ndanë në barazim pa gola. Takimi solli ritëm tension dhe futboll të bukur, por asnjë gol në Selman Stërmasi. Të kuqtë ishin ata që dominuan lojën edhe për faktin se luanin në fushën e tyre.
20 minutat e fundit të takimit u pa një insistim i Partizanit për të gjetur rrjetën, por e pamundur për të çarë në mbrojtjen kuksiane.
Skënderbeu është ndalur në një barazim 1-1 në Kamëz. Korçarët kaluan fillimisht në avantazh me Doniet Shkodrën në pjesën e parë të takimit të cilën e dominuan me lojë.
Në pjesën e dytë, Kamza pa lodhjen e futbollistëve të Skënderbeut dhe sulmoi më shumë duke gjetur golin me Rezi, i cili sapo kishte hyrë në fushën e lojës.
Skënderbeu u përpoq në minutat e fundit për të shënuar, por Kamza i mbajti aksionet larg portës duke siguruar këtë pikë.
Në javën e dytë të Superligës, kryeson renditjen Teuta me 6 pikë, Skënderbeu dhe Kukësi ndjekin me 4 ndërsa Partizani është në vend të parafundit me 1 pikë./tvklan.al