Partizani kundër dënimit të Disiplinës
Duke dashur të qëndrojë larg komenteve për dënimin e Disiplinës për ngjarjet në Korçë, trajneri i Partizanit gjithsesi u shpreh kundër masës së dhënë për tifozerinë e kuqe.
“Dënimet kolektive janë të tepruara, pasi nuk është vetëm ajo pjesë e tifozërisë që na ndjek kudo, por Partizani ka tifozë gjithandej dhe nuk e meritojnë të mos jenë në stadium. Jam kundër dënimeve kolektive”.
Gega qëndron larg polemikave se kush është fajtori apo si nisi përlasja fizike e tifozëve të Partizanit me ata të Skënderbeut, megjithatë ai ka një apel për mbështetësit e skuadrës që drejton. Rikthimi i tyre në stadium përkon me derbin me Tiranën.
“Tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne. Duhet të mundohemi t’i menaxhojmë tifizët pasi na ndihmojnë për ndeshje. Tifozët duhet ta kuptojnë që sjellja e tyre ndikon në përmbushjen e misionit tonë”.
Mungesa e tifozëve do të ndikojë edhe tek lojtarët aq më tepër që ndeshjet brenda pritet të jenë të forta. Ndeshja e radhës është kundër Kamzës. Thuajse një derbi edhe për faktin se pikërisht Kamza fitoi me Tiranën në fushën e kësaj të fundit.
“Do mundohem me detaje ta zbërthejmë kundërshtarin dhe të ndërtojmë një strategji. Ekipi është mirë fizikisht, por edhe nga anët e tjerë jemi ‘OK’ dhe të bashkuar. Në Kamëz shkojmë për fitore dhe është e vetmja rrugë për ne”.
Lorenc Trashi, lojtar i Partizanit:
“Vijmë nga një humbje me Skënderbeun, që e kemi harruar. Duhet të mendojmë për Kamzën, që e kemi studiuar. Ata kanë një ekip të mirë, i pamë me Tiranën. Duhet të japim më të mirën tonë që të marrim trepikëshin”.
Partizani do të grumbullohet dy ditë në Elbasan për t’u stërvitur në një fushë me bar natyral, ashtu sikurse do të luajë edhe në stadiumin e Kamzës.
Tv Klan