Partizani prezanton Ferhan Hasanin
Sulmuesi: Është zgjedhja e duhur për mua
E kërkonte edhe Tirana por pasi foli me shokë të tij, tetovari Ferhan Hasani vendosi që e ardhmja në Superligën shqiptare do të ishte me Partizanin. Futbollisti 30-vjeçar u prezantua si një nga blerjet më të rëndësishme të klubit të kuq.
Drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama e konsideroi si një afrim të natyrshëm për shkak të cilësive të lojtarit dhe afrimitetit njerëzor të krijuar përgjatë bisedimeve, por vetë Hasani, është ende i paqartë se cili do të jetë pozicioni i tij në skuadër, apo edhe pesha specifike që do të duhet të mbajë mbi shpatulla.
“Të them të drejtën nuk e kam diskutuar këtë pjesë. Do e vendosë trajneri se ku do luaj dhe nëse do të luaj apo jo. Do jap maksimumin për ekipin. E shikoj vetën aty ku do trajneri. Mendoj se jam një lojtar si gjithë të tjerët. Do të jap maksimumin për arritjen e objektivave. Nëse dalim kampionë apo jo, le t’ia lëmë kohës”.
Megjithëse ka thuajse 3 muaj pa luajtur Ferhan Hasani pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin e sulmit tek Partizani. Me eksperiencën e akumuluar tek shkëndija e Tetovës dhe tek Brondby në Danimarkë, ai mund të jetë në rolin e sulmuesit të fshehtë qendërsulmuesit madje edhe sulmuesit të krahut të majtë.
Tv Klan