Partizani triumfon sërish
Derbi me Partizanin, për bardheblutë është kthyer në kompleks, për të mos thënë fobi. 14 ndeshje pa fitore që prej Shkurtit 2014, 3 humbje radhazi nuk janë pak. Përballja e fundit në “Selman Stërmasi”, u vendos sërish nga faktori psikologjik.
Pritej që lojtarët e Tiranës, që u rikthyen në Superligë pas një viti në kategorinë e parë, të përmbysnin historinë e viteve të fundit të kësaj ndeshjeje. Por sërish ishin të kuqtë që gjetën shpejt golin dhe u treguan tejet të kujdesshëm për të mos pësuar.
Ndeshjet derbi janë gjithnjë ose të bukura ose të shëmtuara, nuk ka një të mesme. Një episod i vetëm mund të vendosë fitoren. Këtë episod e krijuan dhe shfrytëzuan maksimalisht futbollistët e Skënder Gegës në mesin e pjesës së parë.
Krosimin i Asanit në zonë u ndoq nga Mala që e mundi mbrojtësin e Tiranës Doka në kohë, duke e çuar topin drejt rrjetës. Pati përpjekje nga të dy skuadrat, Tirana për të barazuar dhe Partizani për të dyfishuar, por në derbi më shumë se të shënosh duhet të bësh kujdes të mos pësosh. Për të 14 herë radhazi, Tirana doli pa fitore ndërsa Partizani regjistroi fitoren e 7.
Të fitosh derbin është gjithnjë motiv për t’u krenuar dhe për të shpresuar në objektivat madhorë të sezonit, por presidenti i Partizanit Demi ironizon me çështjen e titullit kampion.
Tv Klan