Rinis normalisht puna në qendrat shëndetësore
Manastirliu: Pas 11 Majit vendoset për konsultat dhe operacionet në spital
Duke filluar nga kjo javë dhe në vazhdim, lirohet fasha e orarit të vizitave në qendrat shëndetësore. Nga Poliklinika nr 3 e specialiteteve, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se hapja e sistemit shëndetësor do të jetë me faza, fillimisht vizitat në kujdesin shëndetësor parësor dhe atë të specialiteteve.
“Asnjëherë sistemi shëndetësor nuk ka qenë i mbyllur, përkundrazi, për të gjitha urgjencat dhe nozologjitë që kanë kërkuar trajtim, sistemi shëndetësor është përgjigjur në kohë dhe me cilësi për qytetarët. Sistemi shëndetësor do të hapet me faza dhe do të fillohet me planin e hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe specialistik, ndërsa për konsultat apo ndërhyrjet kirurgjikale do të jetë një fazë e mëtejshme”.
Pas datës 11 Maj do të vendoset për konsultat dhe ndërhyrjet kirurgjikale në spitale.
“Pasi të vlerësohet kjo periudhë dy javore se si do të shkojë epidemia, Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vlerësojë për fazat e mëtejshme të hapjes së sistemit shëndetësor. Për ne ka rëndësi mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe stafeve mjekësore”.
Deri tani konsultat për të sëmurët kronikë kanë funksionuar online. Madje bluzat e bardha rekomandojnë që kjo kategori vijojë të marrë konsulta online pasi janë të riskuar për Covid. Për të shmangur përhapjen e koronavirusit, strukturat shëndetësore po përgatiten me vendosjen e masave të sigurisë, duke respektuar masat e distancimit dhe kushtet e higjienës.
Tv Klan