Pas denoncimeve të Stop, SPAK mësyn në zyrat e Zyrës Arsimore Peshkopi
Pas denoncimeve të përsëritura të emisionit “Stop”, oficerët e SPAK kanë zbarkuar të martën në Zyrën Vendore Arsimore Dibër dhe Këshillin e Qarkut Dibër.
Sipas burimeve për mediat, po verifikohen një sërë dokumentesh, që mund të përbëjnë shkelje ligjore. Mësohet se janë shoqëruar në komisariatin e Dibrës 3 zyrtarë, dy inspektorë të ZVA-së dhe financieri i Këshillit të Qarkut.
Në Shtator 2020, emisioni “Stop” tregoi se drejtoresha e ZA-së Peshkopi, Brikena Dani,e cila nuk plotësonte vetë kriteret ligjore për pozicionin e punës, u kishte ndërprerë pa të drejtë kontratën 300 mësuesve. Zonja Dani kishte paguar mësuesin dhe drejtorin e shkollës Selishtë, Avni Delishi, edhe pse ky i fundit rezultonte në Londër, që nga muaji Mars 2020. Këtë Shtator, “Stop” u rikthye në Selishtë, ku tregoi me prova e fakte, se drejtori i shkollës së Selishtës, ishte me shkollë të mesme.
Rubin Kurti (drejtor i shkollës Selishtë): Jo, jo unë s’kam shkollë të mesme fare!
Gazetari: Çfarë arsimi keni, të lutem?
Rubin Kurti (drejtor i shkollës Selishtë): Ëëë të lartin kam…do kontaktoj me drejtoreshën dhe do të të kthej përgjigje!
Gazetari: Po unë po të pyes për arsimin tënd se drejtoresha nuk ka lidhje me arsimin që ti ke bërë, më kupton?
Rubin Kurti (drejtor i shkollës Selishtë): Më fal zotëri! Unë kam vetëm vendim zëvendësues…
Gazetari: Por me shkollë të mesme nuk mund të jesh drejtor, më kupton?
Rubin Kurti (drejtor i shkollës Selishtë): Po tashi e kanë bërë ato, unë pres vendimin e atyre dh jam dakord, që ta lej. A më kupton?
Gazetari: E kuptoj. Mirë, të uroj suksese.
Pas marrjes së këtij informacioni nëpërmjet telefonatës me zotin Kurti, “Stop” iu drejtua zonjës Brikena Dani, drejtoreshës së Zyrës Arsimore në Dibër, për një sqarim të mëtejshëm.
Gazetari: Pse me shkollë të mesme, kur ne e dimë që një edukatore në një kopësht, nuk fillon dot punë pa një shkollë të lartë?
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Kemi çështje të tretë?
Gazetari: Jo!
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Do vëmë në dispozicion të gjithë informacionin, që e kërkoni.
Gazetari: Po unë e kam informacionin. Fola vetë me drejtorin, Rubin Kurtin dhe ai e pranon, që është me shkollë të mesme…
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Krahas atyre që ju keni…unë them hajeni tani të tre të shkojmë në Selishtë dhe pastaj të shohim!
Gazetari: OK! Po çfarë do të bëjmë ne në Selishtë? Po ja, vajtëm?
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Jemi me të drejtë për vendimin që kemi marrë, pasi ju t’i shikoni ata mësues që janë atje dhe të jeni ballë për ballë me të gjithë ata mësues, të cilët kanë bërë atë refuzimin…
Gazetari: Kë refuzim?
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Refuzimin e marrjes së detyrës deri në konkurrim, për të ushtruar kompetencat e drejtorit…
Gazetari: Dhe duhet, që një pa shkollë, duhet të vësh?
Brikena Dani (drejtoreshë e ZA në Dibër): Unë nuk po fsheh faktin që ky, që kemi emëruar, është me shkollë të mesme.
Të nesërmen Rubin Kurti u shkarkua dhe u zëvendësua me një arsimtar me shkollë të lartë.
Por tani fjalën e ka SPAK-u për gjithë këto shkelje ligjore./tvklan.al