Pas dorëheqjes, ish-Presidenti merr azil politik
Evo Morales, një ditë pasi dha dorëheqjen si President i Bolivisë, ka pranuar statusin e azilantit politik në Meksikë.
Morales u dorëhoq pas protestave disa ditore në lidhje me akuzat ndaj tij për mashtrim në zgjedhje. Ministri i Jashtëm i Meksikës ka konfirmuar që Morales u largua nga vendi me një aeroplan të qeverisë meksikane.
Ndërsa vetë ish-Presidenti ka shkruar në Twitter se ndjen keqardhje që braktisi vendin, por thotë se do të rikthehet me më shumë forcë dhe energji.
Nga ana tjetër, komandanti i ushtrisë urdhëroi trupat që të mbështesin policinë pas përleshjes së këtyre të fundit me mbështetësit e ish-Presidentit Morales.
Protestat për largimin e tij nisën pas rizgjedhjes si President i Bolivisë, nën dyshimet për manipulim të rezultatit zgjedhor. Evo Morales qëndronte në pushtet prej 13 vitesh. /tvklan.al