Gazetarja: Nancy Pelosi kërkon shkarkimin e Presidentit Trump


Gazetarja: Nancy Pelosi kërkon shkarkimin e Presidentit Trump

21:20 07/01/2021

24 orë pas kaosit në Uashington ku protestuesit u futën brenda Kongresit Amerikan, gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci, thotë se situata është shumë më e qetë.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, gazetarja e VOA theksoi se vëmendja është përqëndruar në faktin se si ka mundësi që u krijua ajo situatë.

“Situata është shumë më e qetë. Uashingtoni sot është i qetë, megjithëse akoma ka pikëpyetje dhe përpjekje të mëdha për të gjetur, identifikuar ata që ishin përgjegjës për ato ngjarje të pashembullta. Më shumë informacione pati për viktimën e parë në fakt. Vëmendja është përqëndruar tek situata në përgjithësi që si ka mundësi që ndodhi një gjë e tillë. Reagimi i Presidentit Trump dje ishte për deklaratën që dënoi dhunën, por nga ana tjetër i vlerësoi edhe këta protestues. Por sot pas certifikimit të fitores së z.Biden tha se do jetë një tranzicion i pushtetit. Një nga arsyet që nuk e kemi parë në rrjetet sociale, është që ai është bllokuar në rrjetet sociale”.

Gazetarja Kostreci theksoi se janë shtuar thirrjet për të aktivizuar Amendamentin e 25 për të shkarkuar Presidentin Donald Trump.

Gjatë ditës së sotme dhe të djeshme një nga zhvillimet ishte fakti që janë bërë kërkesa për shkarkimin e Presidentit në bazë të Amendamentit 25. Pak më parë, Pelosi u bëri thirrje republikanëve që nëse kjo pjesë e amendamentit nuk aktivizohet, atëherë Kongresi do të lëvizë me një proces tjetër shkarkimi”. /tvklan.al






Të ngjashme