Pasi humbi prindërit dhe motrën nga rrëzimi i helikopterit, 16-vjeçarja përballet me një tjetër situatë të vështirë
16-vjeçarja, e cila humbi të dy prindërit e saj dhe motrën si pasojë e rrëzimit të helikopterit të basketbollistit Kobe Bryant, kishte si detyrë të udhëtonte në Los Angeles për të identifikuar trupat e tyre.
Kështu është shprehur gjyshi i saj, Jim, i cili rrëfeu se është shumë e vështirë për të përballuar dhimbjen sepse ai gjithmonë kishte menduar se do largohej nga kjo jetë para djalit të tij.
“Nuk e di nëse Lexi, vajza e tyre mori pjesë në procesin e identifikimit, nuk kam arritur ta shoh apo të flas me të. Lexi është vetëm 16 vjeç. Shpresoj ta kenë marrë në konsideratë moshën e saj dhe jam duke shpresuar që ajo mos kalojë ndonjë traumë”.
Trajneri i bejzbollit, John Altobelli 56 vjeç, ishte me vajzën e tij të vogël Alyssa 13 vjeç dhe gruan Keri 46 vjeç, kur helikopteri u rrëzua të dielën në mëngjes. Si pasojë e aksidentit të ndodhur humbën jetën 9 persona, përfshirë dhe legjendën e basketbollit Kobe, me vajzën e tij Gianna 13 vjeç.
Jim shpjegoi se John dhe Bryant ishin bërë miq vitet e fundit, sepse vajzat e tyre Alyssa dhe Gianna shkonin në shkollë dhe luanin basketboll së bashku.
Ndërkohë, miqtë e familjes kanë krijuar një faqe online për të mbledhur donacione, për të paguar shpenzimet e varrimit dhe shpenzimet e shkollimit për 16-vjeçaren Lexi, tani që ajo ka mbetur e vetme pa familjen e saj. /tvklan.al