Paskal Milo, intervistë (5 Tetor 1999)
Interviste me Ministrin e Jashtëm Paskal Milo.
Paskal Milo: U arrit në konkluzionin e përbashkët që duhet krijuar një mekanizëm i ri në nivel të lartë i cili të kordinojë më mirë qëndrimet dhe veprimet e dy qeverive për zbatimin e projekteve të përbashkëta në Shqipëri. Ministri Dini pasi parashtrova situatën në Rajon dhe në mënyrë të veçantë nevojën e mbështetjes nga ana e Italisë të projekteve shqiptare në kuadrin e Paktit të Stabilitetit shprehu mbështetjen e tij të plotë dhe të Qeverisë Italiane për projektet shqiptare që do të paraqiten në tryezën e Barit. Me Ministrin Dini diskutuam edhe problemin e çeshtjes së Kosovës. Aty të dy palët ramë dakort që të respektojmë dhe të punojmë për zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244. Të dy palët ramë dakort se është e nevojshme normalizimi i shpejtë i situatës në Kosovë dhe ngritja e administratës së re që do të çojë pastaj në zgjedhje në Kosovë që do të sjellin krijimin e një ekzekutivi të ri që do të marrë përgjegjësi të reja në terren. Përsa i përket çeshtjeve në fushën e arsimit u kërkua nga pala shqiptare që pala italiane të rrisë numrin e bursave për studentët shqiptarë dhe për studime pas universitare. U kërkua që të nënshkruhet një projekt marreveshje për shkëmbimet kulturore dhe u dha garanci nga pala italiane që së shpejti do të fillojnë procedurat konkrete për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë. Pas kërkesës sonë për lehtësimin e procedurave për dhënien e vizave për qytetarët shqiptarë dhe për heqjen e vizave për pasaportat e shërbimit, zoti Dini premtoi në emër të Qeverisë Italiane se do ta shikojnë me kujdes këtë ëeshtje me prirjen që ky regjim të lehtësohet dhe për pasaportat e shërbimit të hiqen vizat./tvklan.al