Paskal Milo, intervistë speciale (18 Shkurt 1999)


Paskal Milo, intervistë speciale (18 Shkurt 1999)

08:51 18/02/1999

Gazetari: Si paraqitet për Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, situata nga bisedimet e Rambujesë?

Paskal Milo: Bisedimet e Rambujesë kanë hyrë në fazën përfundimtare. Sot delegacionit shqiptar, por besoj se edhe delegacionit serb i është dorëzuar aneksi i sigurisë, i cili do të diskutohet nga të dy palët, do të bëhen propozimet përkatëse me qëllim që të miratohet përfundimisht. Me sa kemi informacion drafti që i është paraqitur sot delegacionit shqiptar, ka disa ndryshime të vogla që nga negociatoret që quhen simbolike dhe të parëndësishme. Ndërkohë që nga ana e delegacionit shqiptar mendohet se ka ndryshime të cilat duhen marrë në konsideratë dhe që sipas tyre duhen diskutuar sepse ka ndryshime esenciale. Janë bërë disa propozime të reja,
janë shtuar disa elemente të cilat synojnë arritjen e një kompromisi midis dy palëve, sepse dihet që çdo dokument që do të dalë dhe që do të kërkojë nënshkrimin e të dy delegacioneve, duhet të ketë patjetër elemente kompromisi. Pra sot po punohet për një dokument të tillë si aneksi i sigurisë i cili përbën thelbin e vetë dokumentit dhe besojmë se deri nesër të dy palët do të kenë paraqitur patjetër propozimet e tyre të reja. Në fakt, situata duke u afruar fundi i negociatave dhe duke u afruar dita e Shtunë ka filluar të bëhet tensionuese, ka njëfarë nervozizmi tek delegacionet dhe përgjegjësia është shumë e madhe, sepse duhet të shkohet drejt nënshkrimit të një dokumenti i cili do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës, statusin e vet dhe vetë procesin e bisedimeve. Por në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh se fuqitë e Grupit të Kontaktit dhe negociatorët vazhdojnë të shprehin besim se mund të nënshkruhet dhe të arrihet një marrëveshje megjithë vështirësitë ekzistuese. Në radhë të parë thonë ata ka shumë rëndësi që të
nënshkruhet një marrëveshje për prezencën e NATO-s në Kosovë. Besojmë se të gjithë shqiptarët janë dakort dhe e mbështesin, e kanë mbështetur prej kohësh dhe do t’a mbështesin një marrëveshje të tillë ql do të garantonte prezencën e NATO-s në Kosovë, sepse pa një garanci të tillë çdo marrëveshje nuk do të mund të zbatohej. Neve jemi duke e ndjekur orë pas ore, zhvillimin e situatave në Rambuje, jemi në kontakte të ngushta me të gjithë faktorët politike shqiptarë që janë atje dhe jashtë Rambujëse, ashtu sikurse jemi në kontakte intensive edhe me faktorët politike të Grupit të Kontaktit dhe me vetë negociatorët. Shpresojmë të japim kontributin tonë edhe në diskutimet që po bëhen sot dhe që mund të vazhdojnë edhe nesër.

Gazetari: Sot Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar që si Qeveria ashtu dhe partitë opozitare tashmë duhet të kërkojnë Pavarësinë e plotë të Kosovës, pasi Fuqitë e Mëdha, sipas tij, po luajnë me Kosovën.

Paskal Milo: Zoti Berisha ka te drejten e vet si Kryetar i Partisë Demokratike që të bëje propozimet përkatëse, unë besoj se vetë zoti Berisha është bashkuar me qëndrimet e Qeverisë Shqiptare dhe këtë ai e ka deklaruar disa herë këto dy muajt e fundit dhe para disa ditësh. Nuk besoj se këtë propozim që bën sot është ndonjë propozim i ri në thelbin e vet, për shkak se Qeveria, partitë e aleancës për shtetin që bëjnë pjesë në Qeveri, kanë qënë dhe janë përfaqësuar në Parlament, ku siç dihet është miratuar së fundi një Rezolutë që ka në thelbin e vet dy principe themelore, principin e respektimit të së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve dhe atë të mosndryshimit të kufijve me dhunë. Dihet që vetë Berisha dhe Partia Demokratike i kanë patur këto dy principe në qendren e qëndrimit të tyre për çeshtjen e Kosovës dhe besoj se ata nuk kanë ndryshuar pozicion nga Rezoluta që ka miratuar Kuvendi Popullor, sepse ata e kanë miratuar zyrtarisht dhe e kanë mbështetur publikisht këtë Rezolutë ashtu sikurse ekziston edhe një deklaratë e përbashkët e forcave politike parlamentare, përfshirë këtu Partinë Demokratike që e ka nënshkruar dhe ku përsëri qëndrimet e Shqipërisë në terësi, si të Qeverisë dhe të opozitës përmblidhen në këto dy parime, pra, në parimin e respektimit të vetëvendosjes së
shqiptarëve të Kosovës dhe në parimin tjetër të mosndryshimit të kufijve me dhunë. Ne mendojmë se këto qëndrime që i kemi marrë bashkë duhet përsëri që t’i respektojmë bashkë dhe çdo vendim tjetër që mund të merret nuk mund të merret jashtë institucioneve. Ne mendojmë se duhen vendimet e institucioneve ashtu siç kemi miratuar Rezolutat e Kuvendit Popullor duhet pra Kuvendi Popullor në rast se do ketë ndonjë ndryshim, duhet që ta paraqesim atje. Prandaj ne do të mendonim që e mira do të ishte që Partia Demokratike të kthehej në Parlament, të fliste nga tribuna e Parlamentit, dhe përmes tij të shprehte pikëpamjet që të bashkohesh bashkë me të gjitha partitë e tjera parlamentare, sepse qëndrime të tilla i japin më shumë forcë, më shumë argumente dhe më shumë jehonë kur bëhen përmes Parlamentit Shqiptar dhe jo përmes tribunave të veçanta apo konferencave të përditshme të shtypit. Pra në thelbin e vet ne nuk shohim ndonjë ndryshim nga ato parime që kemi shprehur deri tani në politikën tonë dhe prandaj kërkojmë gjithashtu që politikanë të veçantë apo forca politike të veçanta në këto situata tepër delikate në të cilën ndodhemi të gjithë së bashku, sepse çeshtja na intereson të gjithëve duhet që para se të bëjmë publike të bëjmë minimumin e asaj që quhet politikë, të bëjmë konsultime dhe mandej secili të shprehë pikëpamjet dhe opinionet e veta. Mendoj se çeshtjes shqiptare aktualisht i shërbehet duke mbështetur delegacionin shqiptar që ka vajtur në Rambuje, i cili nuk është delegacion i një partie të vetme politike shqiptare në Kosovë, por është një delegacion
gjithëpërfshirës që ka në përbërjen e vet lidershipin e gjithë shqiptarëve të Kosovës, ka personalitetet më të mëdha që kanë luftuar për një kohë të gjatë për realizimin e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës, i njohim të gjithë, prandaj më mirë është që para se të flasim ne nga Tirana t’ja u lemë atyre t’a zgjidhin dhe të vendosin fatin e shqiptarëve të Kosovës, sepse gjithnjë kemi thënë dhe themi që ne do të mbështesim çdo lloj zgjidhje që do të vendosin vetë shqiptarët e Kosovës. Prandaj çdo lloj recete që jepet nga Tirana pa u shprehur lideret politikë shqiptarë të Kosovës, që tashmë janë në përbërjen e delegacionit shqiptar atje në Rambuje, është e dëmshme madje nuk mund të cilësohet vetëm spekullim politik por ndoshta edhe diçka më shumë. Pra, le ta lëmë delegacionin shqiptar në Rambuje që
përfaqeson vullnetin politik të të gjithë shqiptarëve të Kosovës, të vendosë vetë. Kjo do të ishte më e mira që mund të bëhej aktualisht në këto ditë tepër delikate. Pra, le të presim të shtunën ku vetë shqiptarët atje
duke e gjykuar më nga afër dhe më mirë do vendosin për të ardhmen e tyre.

Gazetari: Sipas jush cila do të jetë e ardhmja e Kosovës?

Paskal Milo: E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e garantuar, është një proces që nuk ka të ndalur, por veçse duhet të kuptojmë që është një proces. Kush nuk kupton që sot çeshtja e Kosovës është një proces nuk ka vizion, nuk ka perspektivë, ne duhet t’a kuptojmë këtë sepse edhe vetë shqiptarët në Kosovë e kanë kuptuar atë dhe vetë fakti që ata po marrin pjesë në bisedime në Rambuje, tregon që ata i kanë hyrë këtij procesi me një ndërgjegje të plotë, sepse e dinë që çdo gjë ka një fillim ashtu sikurse ka edhe një fund. Pra rëndësi ka që ta nisim mbarë rrugën se pastaj në rrugë e sipër me përpjekje të përbashkëta, me vendosmëri dhe me dinamizëm do të mund të realizojmë ato aspirata për të cilat shqiptarët e Kosovës, flijohen, vriten, torturohen dhe dëbohen nga vatrat e tyre amtare. Shpresojmë që Rambuje të mos dështojë, shpresojmë që Rambuje të hapë një kapitull të ri në historinë e shqiptarëve të Kosovës, në historinë e vetë Kosovës./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj






Të ngjashme