Paskal Milo vizitë në SHBA, takimi me Kolin Pauell – (2 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
SHBA nuk do t’i tërheqin menjëherë trupat amerikane nga rajoni i Ballkanit. Kjo është deklarata e sekretarit amerikan të shtetit Kolin Pauell, që sinjalizon njëkohësisht një zbutje të objektivave amerikane për tërheqjen e dhjetë mijë ushtarëve amerikanë nga rajoni. Këtë mesazh Kolin Pauell ka planifikuar t’ia përsërisë edhe delegacionit kosovar, të përbërë nga Rugova, Thaçi dhe Surroi gjatë takimit në Washington.
Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon dhënien fund të konfrontimit mes shqiptarëve dhe trupave të NATO-s në Mitrovicë. Ndërkohë në Washington ndodhet edhe shefi i diplomacisë shqiptare Paskal Milo, i cili është takuar me sekretarin Pauell, gjatë ceremonisë së lutjeve të mëngjesit. Milo ka theksuar, rëndësinë e vazhdimit të angazhimit amerikan në Shqipëri.
Ministri Milo ka zhvilluar takime edhe në Departamentin e Shtetit, ku janë vlerësuar hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare edhe në aspektin rajonal. Milo parashtroi kërkesat e Tiranës zyrtare ndaj Beogradit, si lirimin e të burgosurve shqiptarë, një fushë ku Washingtoni mund të ndihmojë./tvklan.al