Patozi: Nuk kandidoj për kryetar të PD
Astrit Patozi, një ndër personat më të përfolur si kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, pas disfatës në zgjedhjet e fundit parlamentare, hodhi poshtë çdo mundësi kandidimi.
I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut, Patozi tha se kishte dy arsye shumë të forta për mos kandidimin e tij në garën për kryetar.
“Është folur për mua gjatë këtyre ditëve për kandidimin tim. Unë sigurisht e kam lexuar me vëmendje këtë dhe sot sigurisht kam një vendim. Unë nuk do të kandidoj për kryetar të PD-së. Kam dy arsye që janë shumë të forta. Nuk kandidoj për kryetar të PD-së sepse PD-ja sot nën drejtimin e Lulzim Bashës të vetëngrirë është bërë gati të hapë një farsë elektorale, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me një garë të lirë dhe të ndershme brenda një partie politike.”
Patozi tha se “
çdo lloj garë, minimalisht ka nevojë për disa kushte dhe parakushte që të jetë e lirë, e ndershme dhe e paanshme”.
Sipas tij, Basha në shkelje të rëndë të statutit të Partisë Demokratike, ka bërë dy akte të cilat e hedhin në erë një proces normal demokratik.
“
Akti i parë, konsiderimi i vetëngrirë për kryetarin e Partisë Demokratike, e pabazuar në statut dhe nuk gjendet në asnjë praktikë kombëtare dhe ndërkombëtare. Pra akti i vetëngrirjes, i cili nuk është as akt pendimi, as përgjegjësie dhe as dorëheqjeje
.”
Patozi tha se ajo që kishte bërë Basha, ishte një lloj garniture e asaj që është përmbajtja.
“
Basha duhej që minimalisht të dorëhiqej dhe pastaj të shikonte mundësinë e rifutje në garë. Sipas meje, Basha nuk kishte asnjë rrugë tjetër, por të jepte dorëheqje të parevokueshme, pa asnjë mundësi rikandidimi.
”
Patozi: Basha, sëmundje e PD-së
Patozi ishte shumë i ashpër me kryetarin e demokratëve, të cilin e quajti “sëmundje të Partisë Demokratike”.
“Koncepti im për politikën është i tillë që, në rast se në dy palë zgjedhje kur ti kryeson një parti politike, edhe një pikë po të bjerë partia, unë jap dorëheqjen, po ta kisha unë… Por, unë s’dua që Zoti Basha ta ketë këtë, se Zoti Basha sot është sëmundja e Partisë Demokratike. Pra është problem demokratik shumë i madh i PD-së.”
Ndërhyrjes së Fevziut se sipas Bashës, sëmundja e PD-së janë ish-ministrat që pas majmjes në pushtet nuk kanë bërë asnjë ditë opozitë, Patozi iu përgjigj:
“Ish-ministri më i përkëdhelur i qeverive të Sali Berishës është Lulzim Basha vetë. Ish-ministri më i përkëdhelur i Sali Berishës është Lulzim Basha, i cili ka zgjedhur postet më të mira që PD-ja ka pasur në dispozicion përveç kryeministrit, duke përfshirë edhe postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është pushteti i dytë pas kryeministrit në Shqipëri.”
Patozi tha se do të mbështeste çdo kandidat që do të rrëzonte Bashën nga posti i kryetarit dhe do të ringrinte Partinë Demokratike, por sipas tij Eduard Selami ishte i papërshtatshëm për këtë post, pasi nga mënyra se si shpalli kandidaturën duket se ishte një përpjekje për të legjitimuar procesin e rizgjedhjes së Bashës./tvklan.al