Pavlopulos: Gabim i politikës shqiptare që mbështet bashkëpunëtorët e nazistëve
Presidenti grek Prokopis Pavlopulos u është rikthyer qëndrimeve të tij të forta për çështjen çame dhe marrëdhëniet me Shqipërinë. Sipas tij, politika shqiptare gabon në mbrojtjen e çështjes çame.
“Është një gabim i madh që udhëheqja politike shqiptare mbështet të drejtat e supozuara të disave që ishin në krah të nazistëve gjatë pushtimit gjerman. Dëshira për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe mbështetja e të drejtave jo ekzistuese të partnerëve të nazistëve nuk duket se tregojnë një perspektivë serioze evropiane. Kur të kenë një pozicion tjetër, Greqia është këtu për të ndihmuar vendin fqinj drejt BE-së”.
Presidenti i Republikës deklaroi se Athina po e ndjek perspektivën evropiane të Shqipërisë por sipas tij respekti për të drejtat e njeriut, në veçanti të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e pakicave është e nevojshme. Përgjigjen, këtij qëndrimi konstant të presidentit grek ia ka kthyer homologu shqiptar Ilir Meta, i cili thotë se qëndrimi i Pavlopulos nuk është në sintoni me mesazhet e përcjella pas negociatave mes ministrave Bushati dhe Kotzias dhe se nuk përcjellin energji pozitive.
“Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë”.
Në një intervistë dhënë për Albanian Daily News, Meta vë theksin te parimi i respektit reciprok që duhet të ketë partneriteti mes dy vendeve nuk mund të jete vetëm një dokument i nënshkruar.
Tv Klan