PD: 2018, vit i falimentimit të bizneseve
Në të parën dalje për këtë vit ga selia blu, demokratët akuzuan qeverinë se përgjatë 2018-ës përmes taksave të larta dhe klimës jo të favorshme në vend u mbyllën me mijra biznese.
“15.340 biznese kanë falimentuar nga Janari deri në Dhjetor. Kush thotë se këto janë kompani bixhozi, gënjen! Të tilla, të regjistruara në Qendrën e Bizneseve numërohen me gishtat e një dore. do të thotë 62 % biznese të mbyllura më shumë se një vit më parë. Janë mbi 15 mijë familje shqiptare që nuk i kanë mbijetuar gjobave të taksidarëve, që nuk i kanë mbijetuar skemës dërrmuese të TVSH-së”.
Të vetmit biznese që u hapën, thotë opozita, janë ato të lidhura me qeverinë, duke iu referuar kompanisë ‘DH Albania’, e cila u shpall fituese për ndërtimin e njërit prej lotëve të Unazës së Madhe.
“DH Albania, kompania fantazëm që u regjistrua në korrik dhe brenda pak javësh mori 50 milionë euro tendera, është fytyra e ekonomisë që ka ndërtuar Edi Rama: falimentim me taksa dhe gjoba të rënda për shqiptarët e zakonshëm, miliona euro për kompanitë e parajsave fiskale, me të cilat ndan pushtetin”.
Demokratët paralajmëruan një skenar akoma më të zymtë për bizneset me hyrjen në fuqi nga 1 Janari të vendimit të qeverisë për dyfishimin e taksës së pronës dhe zbatimin e koncesionit të kasave të reja fiskale.
Tv Klan