PD akuza për tenderat e luftës kundër Covid-19
Alibeaj: U shpallën sekret shtetëror, zero informacion
Demokratët akuzojnë qeverinë se po përdor situatën e pandemisë së koronavirusit për të abuzuar dhe fshehur paratë e shpenzuara për bleren e pajisjeve mjekësore përmes 4 tenderave të zhvilluar nga data 21 Mars deri në 3 Prill.
“Në datën 21 Mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh:
• të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore
• të blejë kite për laboratorin e QSUT-së,
• të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID 19,
• të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë”.
Ish-deputeti demokrate Alibeaj thotë se selia blu ka kërkuar që në Shkurt blerjen e këtyre pajisjeve si pjesë e masave anti-Covid, por qeveria gënjeu dhe tani po zhvillon blerjen urgjente dhe i klasifikon ato si sekret shtetëror. Ai akuzon se ka mungesë transparence.
“Kjo do të thotë se opinioni publik nuk duhet të dijë, nëse qeveria i ka shpenzuar paratë e tyre në mënyrë të ndershme apo jo. Ka zero të dhëna si u përzgjodhën kompanitë fituese. Ka zero informacion për ofertat e kompanive. Ka zero informacion për kriteret e cilësisë së mallit të blerë”.
Veç thirrjes për qeverinë për të bërë sa më parë publike dosjet e këtyre prokurimeve, demokratët kërkojnë nga KLSH dhe SPAK të nisin menjëherë verifikimin e procedurave dhe vendosjen përpara drejtësisë për këdo që abuzon.
Tv Klan