PD angazhon strukturat në 61 bashkitë
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të angazhojë strukturat në 61 bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Sipas reagimit zyrtar, kjo Aleancë ka për qëllim ndërgjegjësimin për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues. Për të diskutuar rreth aksionit politik, më herët lideri demokrat Basha zhvilloi një takim me aleatët. Në përfundim, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim pas vendimit të Presidentit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve.
“Pas këtyre zhvillimeve të rëndësishme për vendin, pas qëndrimit të Presidentit të Republikës, besoj që Basha, në emër të opozitës, e ka shprehur qartësisht qëndrimin e tij, angazhimin e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme pa Ramën kryeministër. Kjo ka qenë dhe mbetet pjesë e axhendës sonë. Qytetarët do të vazhdojnë qëndresën e tyre deri në fund për zgjedhje të lira e të ndershme”.
Opozita e bashkuar ende nuk ka vendosur datën se kur do të zhvillohet protesta kombëtare e radhës.
Tv Klan