PD: Avionë droge në Seman të Fierit
Demokratët thonë se avionë të vegjël janë përdorur për trafikim të lëndëve narkotike në plazhin e Semanit në Fier. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka tha se denoncimi është bërë nga qytetarët, ndërkohë që policia, sipas tij, është siguruar t’i mbajë larg dëshmitarët.
“Qytetarët e Fierit kanë denoncuar uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël në Plazhin e Semanit dhe ndërkohë që kjo ndodhte, policia me Forca të Armatosura kishte bllokuar rrugët për të mbajtur larg dëshmitarët. E vërteta është se policia gjendet aty me urdhër të Saimir Tahirit për të mbrojtur trafikun e drogës. Shefat e policisë aty, janë në shërbim të habilajve dhe kanë hisen e tyre në këtë biznes kriminal”.
Noka tha se avionët e vegjël, që vijnë e ngarkohen në Shqipëri, janë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas opozitës, kjo është arsyeja se përse Kryeministri Rama refuzon të fotografojë territorin përmes avionëve italianë, në bazë të një marrëveshjeje mes dy vendeve dhe të publikojë rezultatet e monitorimit.
Tv Klan