PD: Brenda vitit të mbyllet votimi e numërimi elektronik. PS: Të votojnë edhe emigrantët
Opozita u është rikthyer sërish propozimeve të saj të njohura në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Bashkëkryetari Oerd Bylykbashi kërkoi që brenda Dhjetorit, Komisioni të mbyllë çështjet më prioritare, si: votimin e numërimin elektronik, identifikimin biometrik të zgjedhësve, rishikimin e listës së zgjedhësve në përputhshmëri me sistemin e adresave, çështjen e korrupsionit politik, përfshi dhe atë të shit – blerjes së votave si dhe dekriminalizimin.
“Duhet të rishikojmë modalitetet e bashkëpunimit me asistencë ndërkombëtare që të rifitojmë kohën e duhur. Brenda fundit të vitit të kemi amendime serioze. Ndryshimet ligjore jo më vonë se 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Deri në fund të vitit të kemi bërë ato ndërhyrje që ndikojnë në organizimin e zgjedhjeve, për çeshtjet e tjera më vonë”.
Bashkëkryetari i Komisionit, socialisti Taulant Balla tha se çështjet duhet të marrin zgjidhje brenda Dhjetorit.
“PS është propozuese qoftë e votimit e numërimit dhe identifikimit biometrik. Bazën e kemi të përbashkët dhe e rendësishme është që ato të jenë të qëndruëshme dhe të implementueshme. Teknologjia është armiku më i madh i korrupsionit. “
Gjatë mbledhjes së Komisionit, socialistët depozituan edhe propozimin e tyre, që parashikon përfshirjen e emigrantëve në votim.
Tv Klan